(Versioni shqip, LK)
25 nëntori nuk është një ditë zyrtare në Shqipëri, as në shumë vende të tjera, megjithëse është shpallur Ditë ndërkombëtare nga OKB-ja. Megjithatë, kudo në botë, gratë janë viktimat e para të dhunës në luftëra ndërkombëtare, në konflikte civile, në jetën publike dhe në familje.
Vetëm në vitin 2023, në Gjermani, 360 gra u vranë nga partneri ose dikush tjetër i afërt.
E vrasjet janë vetëm maja e ajsbergut. Si edhe, Shqipëria nuk ndodhet në një planet tjetër, do të ishte e pavërtetë të shkruaje për Shqipërinë pa folur për dhunën që u bëhet grave dhe vajzave.
Do të thotë të anashkalohet zemra e çështjes. Do të thotë të gënjesh.
Do të ishte veçanërisht e pasaktë këtu në Bashkinë e Fierit, dhe pikërisht në nëntor, kur më 29 festojmë Çlirimin nga fashizmi dhe pushtimi nazist. Sepse në shtator 1943, 68 vajza të reja nga Fieri iu bashkuan Rezistencës:
Dy prej tyre ranë dëshmore : Liri Gero dhe Pinelopi Pirro.
Liria u dogj e gjallë nga nazistët. Të tjerat mbijetuan, shumë prej tyre të plagosura, dhe disa më vonë u goditën përsëri nga kthesat politike të diktaturës komuniste. Dy herë viktima: nga fashizmi dhe më pas nga diktatura shqiptare.
Dhuna ndaj grave ekzistonte para luftës dhe para diktaturës, dhe nuk u zhduk pas çlirimit.
Dhe ajo që rëndon mbi gratë në Shqipëri nuk kufizohet te goditjet dhe plagët fizike.
Dhuna ndaj grave nuk është thjesht “incident”, “konflikt familjar”, “çast nervash” apo “tragjedi e izoluar”. Ajo është e shkruar në zakone, në batuta, në heshtje, në lodhje, në turp.
Shpesh lind para se të shqiptohet një fjalë e vetme.
Si në historinë e asaj vajzës së shkollës së mesme në Tiranë, në fillim të këtij shekulli, e cila filloi të jetonte “si djalë”: veshja, ecja, gjuha, qëndrimi, madje thoshte se nuk mund të ishte vajzë, sepse pëlqente vajzat.
Sot mund të interpretohej ndryshe; por atëherë shoqet dhe mësueset e saj kuptuan diçka më të thjeshtë dhe më të dhimbshme: vajzë e vetme, nën peshën e një babai tradicionalisht të gjithëpushtetshëm në familje, ajo merrte rolin mashkullor për t’u mbrojtur nga ideja se vajzëria ishte një mangësi, një barrë. Kjo histori nuk është e rrallë. Ajo është moderne.
Dhe çuditërisht lidhet me një figurë të lashtë shqiptare: burrneshën.
Ato gra të maleve që merrnin rolin e burrit për t’i shpëtuar një martese të detyruar, ose thjesht për të marrë të drejtat që gjinia ua mohon. Atëherë duhej një betim i përjetshëm i virgjërisë për të fituar këtë liri.
Sot, mjafton presioni, ngarkesa, poshtërimi për t’i shtyrë vajzat e reja të besojnë se duhet të ndalojnë së qeni vetvetja për të marrë frymë.
(Nuk e fsheh që ajo vajzë, më vonë, rifitoi feminitetin e saj falë mbështetjes së mësueseve dhe shoqeve.)
Kohët ndryshojnë, po plagët jo aq shpejt. Plaga fillon nga ideja se vlera e gruas është më e ulët se ajo e burrit. Një ide, në Shqipëri si kudo, mund të bëjë më shumë dëm se një grusht. Prandaj, çfarë do të thotë 25 nëntori në një vend ku një grua duhet ende të provojë vlerën e saj për të marrë atë që një burrë e merr pa hapur gojën?
Nuk është një ditë kundër burrave. As nuk është gjyq, as slogan i importuar. Është pasqyrë.
Një pasqyrë që shoqëria e shmang prej kohësh, sepse tregon diçka të thjeshtë, të qartë, por të pakëndshme për shumëkënd: pa gratë, asgjë nuk qëndron. Por janë pikërisht ato që lëndohen më shpesh. E them si burrë, dhe sidomos si baba: kur i bën dëm një gruaje a një vajze, humb dinjitetin tënd si burrë.
Sepse jeta jote fillon në trupin e një gruaje.
Sepse je lindur djalë vetëm falë një gruaje.
Sepse vazhdimësia jote vjen përmes një gruaje.
Sepse kujtesa, trashëgimia, linja jote kalojnë përmes saj.
Asnjë burrë nuk bëhet burrë pa respektuar atë që i ka dhënë jetë.
Dhe asnjë burrë nuk mbetet burrë nëse nuk e respekton atë që i jep jetë fëmijës së tij. Në fund të fundit, gruaja e bën burrin.
Para mbrojtjes, vjen respekti. Pa respekt, nuk ka shoqëri, vetëm shtëpi ku mbijetohet mes heshtjes së turpit dhe dhimbjes së plagëve. 25 nëntori nuk është qortim. Është kujtesë.
Kujtesë se një popull s’mund të jetë i fortë nëse gjysma e tij jeton nën kërcënim, frikë, ose në lodhjen e pafundme të të qenit gjithmonë ajo që duron dhe hesht.
Një shoqëri që lëndon gratë e saj, lëndon veten.
Dhe për Shqipërinë që dua, e kam përfshirë këtë ditë në “Nëntorin Shqiptar”:
Një shoqëri që i mbron gratë dhe vajzat, i nderon, i respekton, shërohet.
