Plotë jetë

by | 08.12.25 | svicer&shqip

Barbara Munz

A po po e teproj vallë? Jo, sot jo. Shikoj nëpërmjet një palë syzesh që më rrumbullakosin mrekullisht qoshet dhe skajet e këtij vendi, po ashtu edhe të miat dhe të përvojave të mia—i zbusin, i zbukurojnë dhe i vënë në dritën më të mirë. Dhe tani duhet vërtet të iki? Tani që gjithçka është kaq e bukur…? Fshij disa lot, paguaj dhe kthehem në apartament për të mbledhur valixhet, për të mbyllur gjithçka.

Tani futem në një taksi, udhëtimi i fundit përgjatë rrugës së daljes drejt aeroportit—një rrugë që e njoh mirë, hyrje e domosdoshme për në Tiranë dhe prej andej në gjithë vendin. Jo një udhëtim i bukur: industri, dyqane, tregti, biznes. Dhe megjithatë kjo rrugë është bërë një lloj matësi, sepse gjatë këtyre viteve përvojë në Shqipëri, këtu janë ndryshuar kaq shumë gjëra. Fillimisht është zgjeruar, përfunduar, rindërtuar. Rrugë e re, ndërtesa të reja—më të mëdha, më të gjera. Thjesht më shumë.

Edhe pse tani jam lart në ajër, unë jam ende në Shqipëri. Zot i madh, nuk më hiqet dot nga mendja. Jo, nuk më hiqet dot. Ende kam ç’të rikujtoj, ç’të mendoj, ç’të rishijoj. Ditët e ardhshme do të mbushen me tregime, me kujtime, me përpjekjen për të kapur e ruajtur gjithçka që përjetova. “A do të donit të jetoje këtu?” më pyete. “Jo, Loreta, jo. Unë ndoshta, si ju, në thellësi jam një bashkëkombëse e vendit tim, siç jeni edhe ju të tuajt dhe mbeteni. Nuk kam nevojë të kërkoj një vend më të mirë si shumë prej jush. Dhe entuziazmi im për Shqipërinë nuk do të mjaftonte për të hedhur rrënjë këtu. Sot jo, ndoshta dikur, si vajzë e re—nuk e di. Nuk do të më mungonte asgjë këtu te ju, pavarësisht perfeksionit, pastërtisë dhe funksionimit të shtetit e shoqërisë te ne; madje do të gjeja këtu gjëra që tek ne mungojnë: mot të ngrohtë e të bukur, fruta e perime të shkëlqyera, elan përpara dhe besim në të ardhmen.

Do të mund të lëvizja mirë këtu, kështu mendoj të paktën, e megjithatë nuk do të isha në shtëpi. Natyrën e kam zvicerane dhe atdheu im shoqëror është dhe mbetet Zvicra. Po të isha lindur këtu, me siguri në thellësi të zemrës do të isha edhe unë një shqiptare—e lidhur, e rrënjosur, e detyruar.” Jo, Shqipëria nuk është shtëpi për mua, por është një vend për guxim, për ta provuar veten dhe për atë që ende mund të jetë e mundur.

Ose në shqip: plotë jetë, e mbushur me jetë.